Epilepsia: Diagnoza dhe trajtimi

Për të diagnostikuar epilepsinë mjekut së pari duhet t’i përshkruhen simptomat, sepse shpesh gjatë vizitës tek mjeku mund të mos shfaqen simptoma të matshme.

Shpesh prindërit, të afërmit apo një mik që ndodhet pranë jush kur keni kriza, mund të përshkruajë p.sh. se çfarë ndodh kur keni kriza, sa zgjat ajo dhe nëse humbni koshiencën apo jo.

Mjeku mund t’ju pyesë në lidhje me:

  • Ndonjë problem tjetër mjekësor ose simptoma që mund të keni;
  • Ndonjë sëmundje ose aksident që keni patur në të kaluarën, përfshirë edhe dëmtimet në kokë ose infeksionet në tru;
  • Ilaçet ose medikamentet rekreative që jeni duke marrë;
  • Moshën se kur kanë filluar krizat; dhe
  • Nëse një pjesëtar tjetër në familje ka epilepsi.

Mjeku bën një ekzaminim të plotë fizik duke përfshirë edhe ekzaminimin neurologjik, që synon të përcaktojë ndonjë funksion anormal të sistemit nervor.

Mjeku zakonisht kërkon bërjen e testeve të gjaku-t dhe ndoshta edhe kërkon që të ketë një referim të EEG (elektroencefalografi) – një test që lidhet me aktivitetin elektrik të trurit. EEG-ja zgjat rreth 1 orë dhe nuk ka dhimbje. Ajo bëhet duke vënë elektroda të vogla në kokë, të cilat janë të lidhura me një makinë që mat aktivitetin elektrik të trurit duke e hedhur atë më pas në një letër ose kompjuter. Nuk është e nevojshme prerja e flokëve, por në mënyrë që elektrodat të ngjiten, flokët duhet të jenë të lara një natë më parë.

Ndoshta duhet bërë një skanim i trurit për të parë strukturën dhe funksionin e trurit. Ka tipe të ndryshme skanimi, duke përfshirë skaner CT dhe MRI.

Zakonisht, rezultatet e këtyre testeve dalin normale, përveç rasteve kur keni patur kriza. Të paktën 50% e njerëzve që kanë epilepsi e kanë atë të tipit idiopatik, që do të thotë se nuk gjenden shkaqe për të. Megjithatë, këto teste janë të nevojshme edhe në përcaktimin e sëmundjeve të tjera përveç epilepsisë. Këto sëmundje munden gjithashtu që të shkaktojnë kriza.

Pages: 1 2 3