Hipermetropia (Largpamja)

Hipermetropia, ose largpamja është një problem i zakonshëm i shikimit, që prek pothuaj një të katërtën e popullsisë. Personat me hipermetropi mund të shikojnë shumë mirë objekte të larguara, por kanë vështirësi të fokusohen në objekte që janë fare afër.

Simptomat dhe shenjat e hipermetropisë

Personat hipermetropë ndonjëherë kanë dhimbje koke ose tension të syrit dhe mund të picërrojnë sytë ose të ndjehen të lodhur kur kryejnë një punë në afërsi. Në qoftë se ju i kini këto simptoma kur vini syzet apo lentet tuaja të kontaktit, mund të keni nevojë për një ekzaminim të syve dhe për një rekomandim tjetër.

Çfarë e shkakton hipermetropinë

Ky problem i shikimit ndodh kur rrezet e dritës hyjnë në fokusin e syrit pas retinës (retina) dhe jo drejtpërdrejt mbi të. Kokërdhoku i personit hipermetrop është më i shkurtër se ai normal.

Shumë fëmijë linden me hipermetropi dhe disa prej tyre e tejkalojnë atë me zgjatjen e kokërdhokut deri në gjatësinë normale.

Ndonjëherë njerëzit e ngatërrojnë hipermetropinë me presbiopi-në që shkakton edhe ajo probleme të shikimit nga afër por për arsye të ndryshme.

Trajtimi i hipermetropisë

Hipermetropia mund të korrektohet me syze apo lente kontakti për të ndryshuar rrugën e rrezeve të dritës në sy. Në qoftë se ju kanë këshilluar syze apo lente kontakti me numra plus si +2.50, ju jeni hipermetrop. Ju mund të keni nevojë që t’i mbani syzet ose lentet e kontaktit gjatë gjithë kohës ose vetëm kur lexoni, duke punuar në kompjuter apo duke bërë një punë tjetër nga afër.

Kirurgji-a refraktive, si LASIK ose CK është një alternativë tjetër për korrektimin e hipermetropisë. Ndërhyrja kirurgjik-ale mund të reduktojë ose të eliminojë nevojën tuaj për të mbajtur syze apo lente kontakti.