Thellë në mitër, embrioni rritet me shpejtësi të madhe. Tani, ai është me madhësinë e një fare susami dhe duket më shumë si një fulterëz se si njeri. Embrioni përbëhet nga tre shtresa: ektoderma, mezoderma dhe endoderma, të cilat më pas do të formojnë të gjitha organet dhe indet e tij.

Gypi nervor nga i cili do të shpërhapen truri i foshnjës, palca e kurrizit, nervat dhe kolona vertebrore, fillon të krijohet në shtresën e sipërme të quajtur ektodermë. Kjo shtresë do të fillojë rritjen edhe të lëkurës, flokëve, thonjve, gjëndrave të qumështit e të djersës dhe smaltit të dhëmbëve.2

Zemra dhe sistemi i qarkullimit të gjakut fillojnë të formohen në shtresën e mesme ose në mezodermë. (Në fakt, këtë javë zemra e vogël fillon të ndahet në dhomëza dhe të rrahë e të pompojë gjak). Mezoderma do të formojë edhe muskujt, kërcet, eshtrat dhe indet e nënlëkurës.

Shtresa e tretë ose endoderma, do të strehojë mushkëritë, zorrët dhe sistemin rudimentar të urinimit, si dhe tiroidet, mëlçinë, dhe pankreasin. Ndërkohë, fillojnë të funksionojnë placenta primitive dhe kordoni i kërthizës, i cili i dërgon foshnjës ushqim dhe oksigjen.

Si ndryshon jeta juaj:

Ju mund të vini re tashmë disa shqetësime që lidhen me shtatzëninë. Shumë gra tregojnë për gjinj të pezmatuar, lodhje dhe urinim të shpeshtë duke filluar që në javët e para. Gjithashtu, mund të keni të përziera, megjithëse më shumë ka të ngjarë që këto të shfaqen gjatë javëve të ardhshme.

Bota jashtë nuk do të shohë ndonjë shenjë të zhvillimeve dramatike që ndodhin brenda jush, përveçse ndoshta që ju refuzoni ndonjë gotë verë gjatë darkës. Është e rëndësishme ta shmangni alkoolin gjatë shtatzënisë, meqenëse askush nuk e di saktësisht se sa mund ta dëmtojë ai një foshnjë në zhvillim e sipër.

Gjithashtu, ju do të donit të vazhdoni ose të filloni një rutinë ushtrimesh gjimnastikore. Ushtrimet ju ndihmojnë të fitoni forcë dhe rezistencë. Ato do t’ju nevojiten për të administruar peshën suplementare që do të mbartni. Mund të ndihmojnë edhe për të parandaluar dhimbjet e shtatzënisë dhe shumë gra i gjejnë ato si reduktuese të stresit. Po ashtu, ushtrimet ndihmojnë të bëheni gati për vështirësitë fizike të procesit lindjes.

Së fundmi, në qoftë se keni vazhduar me ndonjë formë ushtrimesh gjatë shtatzënisë, do ta keni më të lehtë të ktheheni në gjendjen fizike të mëparshme. Zgjidhni një aktivitet të parrezikshëm, jo shumë të vrullshëm. Ecja dhe noti janë zgjedhje të mrekullueshme për gratë shtatzëna.

Informacion për sigurinë e një shtatzënie të shëndetshme

Këta muaj të parë të shtatzënisë janë një kohë vendimtare për zhvillimin e foshnjës. Tani duhen ndërmarrë disa hapa, të cilët mund të ndihmojnë të mbrohet shëndeti i të dyve.

Merrni ndihmën e përkujdesjen shëndetësore para lindjes

Përkujdesja e mirë para lindjes është thelbësore për shëndetin e foshnjës. Në vizitën e parë para lindjes (zakonisht rreth javës së tetë) ju do të ekzaminoheni për disa sëmundje që mund të çojnë në komplikime. Në qoftë se nuk e keni zgjedhur ende mjekun kujdestar dhe nuk keni caktuar grafikun e vizitave, bëjeni këtë me përparësi.

Merrni vitaminën tuaj të paralindjes

Shumica e plotësuesve ushqimorë të para lindjes, përmbajnë më shumë acid folik, hekur dhe kalcium se sa gjendet në një multi vitaminë standard. Gratë shtatzëna kanë nevojë për më shumë nga këto lëndë ushqyese (Por mos e teproni me vitaminat, më shumë nuk është domosdo më mirë, dhe në disa raste mund të jetë e rrezikshme).

Është veçanërisht e rëndësishme që të merrni mjaftueshëm acid folik ndërsa përpiqeni të mbeteni shtatzënë dhe gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Kjo pakëson shumë rrezikun e defekteve të lindura.

Këshillohuni me mjekun tuaj kujdestar për ilaçet që merrni

Shumë medikamente, edhe ato që jepen pa recetë, nuk janë të parrezikshme gjatë shtatzënisë. Në qoftë se merrni medikamente për të mjekuar një sëmundje kronike, mos i ndërprisni ato si me thikë, por i kërkoni menjëherë mjekut të kontrollojë listën e medikamenteve që ju përdorni dhe të gjejë çfarë është e parrezikshme dhe çfarë jo. Përmendini çdo gjë, edhe plotësuesit ushqimorë, edhe barërat mjekësore.

Ndërprisni duhanin

Tymosja e duhanit e rrit rrezikun për një mori problemesh, duke përfshirë abortin, probleme të placentës dhe lindjet e parakohshme. Gjithashtu, ngadalëson rritjen e fetusit dhe rrit rrezikun e lindjes së një foshnje të vdekur si dhe të vdekjes infantile. Disa studime e lidhin tymosjen e duhanit me një rrezik të shtuar të lindjes së një fëmije me buzë apo qiellzë të çarë.

Asnjëherë nuk është vonë të lihet apo të pakësohet tymosja e duhanit. Çdo cigare që nuk e ndizni, i jep foshnjës tuaj një shans më të mirë për të qenë i shëndetshëm.

Ndërprisni përdorimin e alkoolit

Sado pak që të përdorni alkool, kjo i rrit shanset e një lindje nën peshë dhe rrezikun që fëmija të ketë probleme me të mësuarit, të folurit, me përqendrimin e vëmendjes, me gjuhën dhe hiperaktivitetin. Askush nuk e di saktësisht sa e dëmshme mund të jetë edhe sasia më e vogël e alkoolit për një foshnjë në zhvillim e sipër. Pra ndërprisni përdorimin e të gjithë llojeve të pijeve alkoolike.

Sigurohuni që shtëpia dhe vendi juaj i punës janë të parrezikshëm

Disa profesione ose aktivitete zbavitëse mund të jenë të rrezikshme për ju dhe për foshnjën tuaj në zhvillim e sipër. Në qoftë se ekspozoheni rëndom ndaj produkteve kimike, metaleve të rënda (si plumbi dhe zhiva), disa agjentëve biologjikë ose rrezatimit, juve do t’ju nevojitet të bëni disa ndryshime, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mbani parasysh se edhe disa produkte pastrimi, pesticide, preparate shkrirës, dhe plumbi në ujin e pijshëm nga tubacione të vjetra, mund të jenë të dëmshëm. Tregojini mjekut ose mamisë tuaj se çfarë përfshin rutina juaj e përditshme, në mënyrë që të gjeni mënyrat për të shmangur apo eliminuar rreziqet në shtëpi apo në vendin tuaj të punës.

Për këtë javë:

Zgjidhni një mjek ose mami dhe programoni vizitën tek ata.

Për t’u përgatitur, mbani shënim ditën e parë të periodës tuaj të fundit (që ai ose ajo të mund të përcaktojë datën kur duhet të lindë fëmija) dhe filloni të bëni një listë të çdo pyetje që mund t’u lindë.

Flisni me të afërmit nga të dy anët për historitë e sëmundjeve të familjeve tuaja. Mjeku juaj kujdestar do të dojë të dijë nëse ka pasur apo ka ndonjë sëmundje kronike ose anomali gjenetike në çdonjërën prej familjeve tuaja.

Share on Facebook0Tweet about this on Twitter0Share on LinkedIn0Email this to someone