Paronikia (Inflamacioni i thoit)

Një infeksion që zhvillohet në skajin e thonjve të gishtave të duarve apo të këmbëve quhet paroniki. Ai është infeksioni më i zakonshëm i dorës dhe në qoftë se lihet pa u trajtuar mund të përparojë në një infeksion më të rëndë të gishtave të duarve apo të këmbëve.

Shkaqet e Paroniki-as

Paroniki shkaktohet më shpesh nga një baktere e zakonshme e lëkurës që depërton lëkurën rreth thoit të dëmtuar nga një traumë, si kafshimi, thithja e thoit, e gishtave, larja e enëve ose acaruesit kimikë. Infeksioni mykotik mund të jetë po ashtu shkak i formimit të paronikias dhe duhet të merret në konsideratë veçanërisht tek personat me infeksion të përsëritur. Kjo sëmundje nuk duhet ngatërruar me malcimin herpetik të gishtit që mund të formojë një puçërr të vogël në gisht dhe që shkaktohet nga një virus por që nuk lokalizohet në skajin e thoit. Malcimi herpetik nuk trajtohet me anë të një prerje dhe drenazhimi dhe kësisoj duhet dalluar nga paroniki.

Simptomat dhe shenjat e paronikias

Një paroniki mund të fillojë si një skuqje dhe ënjtje rreth thoit, që quhet celulit. Shpesh ajo është shumë e dhimbshme kur preket dhe ndonjëherë mund të jetë me një ngjyrë të verdhë në të gjelbër që tregon se nën lëkurë është formuar një grumbullim qelb-i (i quajtur absces).

Simptomat dhe shenjat më të zakonshme janë si më poshtë:

  • Ënjtje;
  • Skuqje;
  • Grumbullim i qelbit;
  • Dhimbje dhe ndjeshmëri ndaj prekjes.

Kur duhet kërkuar pakujdesje mjekësore për një inflamacion të thoit?

Ju duhet t’i drejtoheni një mjeku në qoftë se skuqja përhapet përtej lëkurës rreth thoit ose në mollëzën e gishtit. Kjo skuqje tregon se infeksioni është duke formuar një infeksion më serioz të gishtit me formim të qelbit në indet e thella të majave të gishtave, që quhet felon (një infeksion i rrëzës së thoit).

Gjithashtu, ju duhet t’i drejtoheni mjekut në qoftë se është duke u formuar një absces. Ai kërkon drenazhim nga ana e një mjeku. Hapja (ose prerja) e një abscesi për ta kulluar qelbin nuk duhet të provohet të bëhet në shtëpi.