Elementët bazë të gjumit të foshnjave: Nga 9 deri në 12 muajsh

Në moshën 9 muajsh, foshnjat zakonisht flenë rreth 14 orë në ditë, duke përfshirë dremitjen disa herë gjatë ditës për një apo dy orë. 

Gati për trajnimin për të fjetur

Nëse foshnja juaj ende nuk e ka vendosur një model të gjumit që i përshtatet jetës tuaj familjare, tani është koha për të provuar disa lloje të trajnimit të gjumit. Metodat e trajnimit të gjumit mund ta ndihmojnë atë të bjerë më lehtë në gjumë, të flejë për periudha më të gjata natën dhe të ruajë orare më të rregullt.

Gjumi gjatë natës

Nëse foshnja juaj tani fle nëntë ose dhjetë orë natën, kjo do të thotë se ai e ka kuptuar si të flejë, kjo është një shenjë se ju po rrisni një fëmijë që fle mirë.

Nëse foshnja juaj zgjohet shpesh natën për t’u ushqyer, ndoshta është koha për t’ia ndërprerë ushqimin me gji, nëse ju do të zgjidhni ta bëni këtë.

Ne të gjithë zgjohemi disa herë çdo natë për periudha të shkurtra të kohës. Dhe si të rritur ne i kthehemi gjumit çdo herë, aq shpejt sa që madje edhe nuk e mbajmë mend këtë në mëngjes. Në qoftë se foshnja nuk e ka zotëruar këtë aftësi, ai do të zgjohet dhe do të qajë gjatë natës, edhe kur nuk është i uritur.

Zgjimi përsëri

Mos u befasoni në qoftë se foshnja juaj që flinte mirë papritur bëhet zog nate ose mezi bie në gjumë në këtë moshë. Përse? Çrregullimet e gjumit shpesh vihen re krahas me arritjen e disa piketave kryesore të zhvillimit njohës dhe motor të foshnjës dhe me ankth-in që asaj i krijohet nga ndarja me ju.

Në moshën 9 deri 12 muajsh, foshnja juaj mund të jetë duke mësuar të rrijë ulur, të zvarritet apo edhe të ecë. Dhe meqenëse po i stërhollon dhe zgjeron këto aftësi, mund të zgjohet natën për t’u praktikuar ose mund të jetë tepër i eksituar. Në qoftë se nuk mund të qetësohet vetë dhe të bjerë përsëri në gjumë, të përfundojë duke qarë e duke ju kërkuar juve.

Edhe ankthi nga ndarja me ju mund të jetë shkaku i nxitjes për t’u zgjuar. Zgjimi duke mos ju gjetur juve afër mund të shkaktojë hutim. Por ndoshta foshnja do të qetësohet sapo që ju të hyni në dhomë dhe ta përshëndesni atë.