Pak më e gjatë se 51 cm, foshnja juaj ka vazhduar të rritet dhe tani mund të peshojë gati 3.6 kg. Sado rehat të jetë, nuk mund të qëndrojë përherë brenda jush. Për sigurinë e foshnjës, mjeku juaj do të bisedojë me ju rreth stimul-imit të lindjes në qoftë se edhe javën pasuese ai nuk ka lindur ende (edhe më herët nëse ka ndonjë problem). 2Shumica e mjekëve nuk do t’ju lejojnë të prisni më shumë se dy javë pas datës të pritshme, sepse kjo ju ekspozon ju dhe fëmijën ndaj rrezikut për komplikime. Rreth 5 – 6% e grave kanë pasur shtatzëni të zgjatura që shkojnë tre ose më shumë javë përtej datave të llogaritura si të pritshme. Foshnjat e lindura pas 42 a më shumë javësh mund të kenë një lëkurë të thatë si pergamenë dhe shpesh janë mbipeshë. Pritja kaq gjatë për të lindur shton edhe mundësinë e zhvillimit të ndonjë infeksioni në mitrën tuaj, gjë që mund të jetë e rrezikshme për foshnjën, apo edhe mundësinë e lindjes së një foshnjë të vdekur. Për më tepër, procesi i lindjes ka më shumë mundësi të zgjatet apo edhe të ndalojë. Meqenëse edhe ju edhe foshnja keni një rrezik të shtuar për t’u lënduar gjatë një lindje vaginale, ju dyfishohen mundësitë për nevojën e një operacioni cezarian.

Si po ndryshon jeta juaj:

Është vështirë të mos shqetësoheni kur vjen dhe kalon data e pritshme (sidomos kur familja dhe miqtë dashamirës vazhdojnë e telefonojnë për të kontrolluar gjendjen tuaj). Mos kini gajle, ju nuk do të jeni shtatzënë përgjithmonë. Ekziston një mundësi e mirë që këtë javë dhimbjet e lindjes t’ju fillojnë vetiu. Në qoftë se jo, do të stimuloheni nga java e 42-të apo më herët po qe se ju apo foshnja do të keni ndonjë problem.

Metodat që përdor mjeku për të stimuluar lindjen do të varen nga gjendja e qafës së mitrës. Nëse ajo nuk ka filluar të zbutet, të hollohet, ose të fryhet (hapet), atëherë konsiderohet e “papjekur” ose jo e gatshme për lindje. Në këtë rast, mjeku do të përdorë hormone ose metoda “mekanike” për të pjekur qafën e mitrës para nxitjes.