Piketë për vogëlushin tuaj: Ecja

Kur dhe si ndodh kjo

Fëmija juaj është stërvitur vazhdimisht për hapat e parë qysh nga dita e lindjes. Gjatë vitit të parë, ai ka zhvilluar fuqinë dhe koordinimin e muskujve të tij dhe ka zotëruar një shkathtësi pas një tjetre, që nga rrokullisja deri tek qëndrimi ulur, zvarritja apo largimi me shpejtësi.

Pasi i ka bërë të vetat këto aftësi, ai ka qenë gati ta detyrojë veten të qëndrojë në pozicionin në këmbë e madje edhe të udhëtojë rreth e qark dhomës duke u mbajtur tek mobiliet. Paskëtaj është çështje besimi dhe balance që ai të ecë vetë.

Mësimi i ecjes kërkon shumë praktikë dhe mund të dojë shumë kohë. Dhe zotërimi i saj është një përparim i madh në betejën e fëmijës tuaj për t’u bërë më i pavarur.

12 deri 18 muaj

Shumica e fëmijëve i hedhin hapat e tyre të parë afërsisht kur është ditëlindja e tyre e parë, por diapazoni normal për të arritur këtë piketë është shumë i gjerë. Mos u shqetësoni në qoftë se fëmija juaj është nga ata të vonshmit, i rëndësishëm është progresioni i aftësive. Në qoftë se ai ka qenë pak i vonuar në rrokullisjet dhe zvarritjet e tij, shanset janë që atij do t’i duhen edhe disa javë ose muaj të tjerë për të ecur. Për sa kohë ai vazhdon të mësojë gjëra të reja, nuk keni pse të shqetësoheni tepër.

19 deri 24 muaj

Kur  fëmija bëhet më i sigurt mbi këmbët e veta, ai do të fillojë të ndjehet më komod kur ecën me diçka në dorë, si p.sh. një kafshë prej pellushi ose një top. Ai do ta sfidojë veten duke mbajtur edhe pesha më të rënda, si p.sh. një çantë. Gjithashtu do të emocionohet kur të zbulojë që mund të vrapojë dhe jo vetëm të ecë nga një vend në tjetrin.

25 deri 30 muaj

Në kohën që mbush 2 vjeç, është bërë aq i sigurt për aftësitë e tij, saqë tashmë merr pjesë në lojëra të ndryshme. Hapat e tij po bëhen më të sigurt dhe po fiton aftësinë që të shkelë thembrën dhe gishtat e këmbëve, ashtu siç bëjnë edhe të rriturit.

Piketa të zhvillimit të foshnjës tuaj: Qëndrimi ulur

Qëndrimi ulur

Qëndrimi ulur në mënyrë të pavarur i jep foshnjës tuaj një perspektivë të re për botën. Pasi muskujt e shpinës dhe të qafës së tij të jenë mjaft të forta për ta mbajtur atë drejt dhe ai të kuptojë se ku duhet t’i verë këmbët që të mos rrëzohet, është vetëm çështje kohe, deri sa ai të kalojë në zvarritje, të ngrihet më këmbë dhe të fillojë të ecë.

Kur zhvillohet kjo aftësi?

Ka mundësi që foshnja juaj do të mësojnë të qëndrojë ulur në mënyrë të pavarur midis moshës 4 dhe 7 muajsh. Afërsisht kjo është koha kur ai ka zotëruar rrotullimet dhe mbajtjen lart të kokës. Shumica e foshnjave mund të qëndrojnë mirë ulur për disa minuta pa mbështetje në kohën kur ata janë 8 muajsh. Edhe foshnjat që kanë zotëruar të qëndruarit ulur, herë pas here rrëzohen, shpesh për shkak se e humbasin interesin për të qëndruar drejt.

Si zhvillohet ajo?

Ndërsa ju mund ta mbështesni foshnjën tuaj që ai të qëndrojë ulur qysh nga dita e parë, të qëndruarit ulur në mënyrë të pavarur, nuk do të fillojë deri sa ai të ketë kontrollin mbi kokën e tij. Duke filluar nga mosha 5 muajsh, muskujt e qafës dhe të kokës të foshnjës tuaj forcohen me shpejtësi dhe ai mësohet ta mbajë kokën lart, ndërsa qëndron shtrirë mbi bark.
Pastaj, ai do të kuptojë se si të mbështetet mbi krahët e tij dhe ta ngrejë gjoksin e tij, një lloj ulje ngritje e vogël mbi krahë. Në moshën 5 muajsh, ai mund të jetë i aftë që qëndrojë ulur për disa çaste pa u ndihmuar, megjithëse ju duhet të qëndroni pranë për t’i dhënë mbështetje dhe për ta rrethuar me jastëkë për të zbutur ndonjë rënie të mundshme.
Së shpejti, foshnja juaj do të kuptojë sesi ta ruajë ekuilibrin duke qenë ulur dhe duke u anuar përpara mbi njërën apo të dyja duart në pozicionin e një trekëmbëshi. Nga mosha 7 muajsh, ndoshta do të jetë në gjendje të qëndrojë ulur pa mbështetje (duke i lënë të lira duart që të eksplorojnë) dhe do të mësojë se si të arrijë një objekt të dëshiruar ndërsa qëndron ulur.