Zbavitje në vaskën e madhe të banjës

Është koha ta kaloni fëmijën tuaj në vaskën e madhe? Ja se si duhet ta prezantoni atë me një zbavitje të madhe me përplasje duarsh e këmbësh në ujë.

Në qoftë se foshnja juaj mund të qëndrojë ulur i sigurt dhe është më i madh se sa vaska e tij e vogël e banjës, është koha për të filluar zhytjen dhe për t’i bërë banjë në vaskën e madhe. Mos u nervozoni, më shumë ujë do të thotë më shumë qejf për të dy ju. Ju mund të filloni duke i bërë banjat e fundit në vaskën e tij të vogël brenda vaskës së madhe për ta familjarizuar atë me mjedisin e një vaske më të madhe nga ajo me të cilën është mësuar.

Për hir të sigurisë ju mund të përdorni një ndenjëse në vaskë në qoftë se kjo ju bën të ndjeheni më e qetë, por mbani mend që duhet të jeni e pranishme gjatë gjithë kohës që foshnja përplas duar e këmbë në ujë. Në qoftë se keni harruar ndonjë gjë në dhomën tjetër, ose i thoni dikujt tjetër ta marrë atë për ju, ose nxirreni foshnjën jashtë nga vaska dhe mbajeni me vete ndërkohë që merrni atë send që ju nevojitet. Gjithashtu, mbajeni temperaturën e ujit në temperaturën e përshtatshme dhe gjithmonë provojeni me pëllëmbën ose kyçin e dorës para se të fusni atje foshnjën.

Le të fillojë zbavitja: Ju duhen më shumë se disa rosa prej gome apo një komplet lodrash për ta zbavitur të voglin tuaj të bukur. Thjesht duke eksploruar të gjithë mënyrat me të cilat lodra të ndryshme mund të pluskojnë, të zhyten dhe të derdhen kjo e mbush atë me gëzim. Në qoftë se është paksa nervoze merrni me vete një kukull që mund të lahet bashkë me të. Bëjini banjë kukullës po ashtu si i bëni foshnjës tuaj, duke vazhduar të tregoni se sa shumë e pëlqen ajo ujin e ngrohtë.